Në vitin 2013, Rezart Taçi pranoi ta shiste ARMO-n e mbytur në borxhe te Heaney Assets (HINI ASETS), një kompani offshore e kontrolluar prej drejtuesve të Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, që në 2008 pati financuar pjesën më të madhe të blerjes së ARMO-s prej tij.
Por, Heaney Assets (HINI ASETS) dështoi brenda një viti. Pas kolapsit të vitit 2014, asetet kryesore të lëna si kolateral për kreditë e ARMO-s u sekuestruan në favor të kreditorëve dhe u shitën në ankand. Rafineria e Ballshit u riposedua nga një bankë private.
Në vitin 2014, borxhet e ARMO-s kapnin vlerën e 404.5 milionë dollarëve. Në këtë vit detyrimet u rritën me 27.3 milionë dollarë, nga të cilat 20.1 milionë dollarë i përkasin doganave për akcizën dhe 3.7 milionë dollarë tatimeve.
Me ndërmjetësimin e qeverisë shqiptare, në vitin 2015, Banka ra dakord ta shiste rafinerinë te kompania IRTC, pas të cilës qëndronte një biznesmen shqiptar. Por, IRTC dështoi të paguante shumën e akorduar me bankën, sipas kontratës së shitjes me kusht, ndaj e mori rafinerinë mbrapsht.
Në vitin 2017, rafineria u shit te një kompani e regjistruar në Britaninë e Madhe, e quajtur Allum Enterprises Limited. Kjo kompani nuk e operoi asnjëherë vetë rafinerinë, por e dha me qira te Tosk Energji dhe Byllis Energji, dy shoqëri të kontrolluara nga kompani guaskë të regjistruara në Zvicër.
Në vitin 2018 Rafineria u mor në administrim nga kompania Tosk Energji, e cila nuk pranoi asnjë detyrim te papaguar ndaj punonjësve me arsyetimin se e ka marre vetëm në përdorim. Në vitin 2019 edhe Tosk Energji hyri në kolaps financiar dhe nuk ishte më në gjendje të blinte naftë bruto nga Bankers për të vazhduar biznesin. Që nga nëntori i vitit të kaluar, puna në rafineri është ndërprerë.
Që nga ky moment u ndërprenë edhe pagesat për punonjësit. Qeveria zhvilloi disa takime online me përfaqësuesit e punonjësve dhe premtoi zgjidhjen e situatës. Por vetëm pas protestave, punonjësit arritën të merrnin pagat në vlerën e pagës minimale për 3 muaj: tetor, nëntor dhe dhjetor. Në fund të dhjetorit, për të gjithë punonjësit u bë ndërprerja e marrëdhënieve të punës dhe shkëputja edhe nga sigurimet shoqërore.
Pas dështimit edhe të Tosk Energji, Allum Enteprises vendosi ta operonte vetë rafinerinë e Ballshit. Kompania në fjalë bleu 48 mijë tonë naftë bruto në ankandin e organizuar nga Albpetrol në muajin qershor, ndërsa njëkohësisht arriti edhe një marrëveshje të re furnizimi me Bankers Petroleum.
Mbështetur në marrëveshjen me Bankers, pritej që puna të niste në muajin gusht, por deri tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe protestat e punëtorëve të rafinerisë kanë rifilluar.
Ndërkohë kryeministri Rama, pas një takimi me presidentin e Azerbajxhanit, deklaron se është marrë angazhimi për zgjidhjen afatgjatë të problemit të krijuar nga privatizimi famëkeq i viteve më parë. (A2 Televizion)