Serbia dhe Rusia po bëhen gjithnjë e më shumë bashkë, ndërsa në gojë dhe mendje po mbajnë vazhdimisht Kosovën.
Madje për ambasadorin e Putinit në Beograd, Aleksandër Boçan Karçenko, e ashtuquajtura Botë Serbe e krijuar të shtunën është e njëjtë me fjalimet dhe qëndrimet e shefit të Kremlinit.
Me rastin e një feste kombëtare, ai theksoi se për Rusinë, por edhe për Serbinë, është e rëndësishme ruajtja e sovranitetit, duke iu referuar kështu pretendimeve ndaj territorit të Kosovës së pavarur.
Një ide kjo e pranuar nga i gjithë aparati shtetëror serbe, që ishte i pranishëm në eventin e mbajtur në shtëpinë ruse në Beograd. Për ta përforcuar lidhjen mes vendeve, ka menduar zëvendëskryeministri, Aleksandër Vulin, që shkoi në Moskë për të takuar sekretarin e këshillit të sigurimit të Federatës, Sergej Shoigu, dhe zyrtarë të tjerë. Qëllimi i njoftuar është thellimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë, me fokus të veçantë tek armët dhe ushtria.
Vlen të kthehet në vëmendje kërcënimi i fundit i presidentit rus, Vladimir Putin, që tha se mund të dërgojë armë me rreze të gjatë në çdo vend të botës për të goditur vendet që dërgojnë armë në Ukrainë.
Duke qëndruar tek kërcënimet, ato të zyrtarëve serbë kundër Kosovës nuk kanë ndalur. Petar Petkoviç, drejtori I të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, thotë se lufta diplomatike e presidencës Vuçiç kundër Kosovës do të jetë me intensitet të lartë.
Ai rreshton pretendimet e pabaza se nga vendimet e kryeministrit Albin Kurti, paqja është në rrezik.
“Durimi i popullit serb në këto zona është e vetmja pengesë kundër ëndrrave të tyre për të nxitur konflikte të reja”, nënvizon mes tjerash Petkoviç. (A2 Televizion)