Pasi përcolli ukrainasit, shkoi menjëherë tek rusët. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, takoi ambasadorin e Putinit në Beograd, Aleksandër Boçan Karçenko, me të cilin diskutoi për koordinimin e hapave të mëtejshëm për atë që e quajti “luftë diplomatike në disa fronte dhe sfidat serioze me të cilat ballafaqohet populli serb në Kosovë”.
“Shkëmbyem mendime për përpjekjet për destabilizimin e rajonit, si dhe për përpjekjet e Serbisë për të luftuar në arenën ndërkombëtare për ruajtjen jo vetëm të interesave të saj shtetërore dhe kombëtare, por edhe për respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe parimeve mbi të cilat një rend global duhet të mbështetet.”
Në njoftimin e tij, Vuçiç përsërit pretendimet e tij të zakonshme duke theksuar se “lëvizjet e njëanshme të Prishtinës dhe projektrezolutat në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për Srebrenicën nuk kontribuojnë në procesin e pajtimit në rajon".
Presidenti serb falenderoi Federatën Ruse, siç tha ai, për qëndrimin e saj të pandryshuar për integritetin territorial të Serbisë, që ka të bëjë me mos njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Ky takim, jo i rastësishëm, vjen dhe si një shuplakë e rëndë edhe ndaj Bashkimit Europian.
Komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, i kërkoi Vuçiçit gjatë një vizite në Beograd që të harmonizojë politikën e jashtme të Serbisë me atë të BE-së, të përmirësojë demokracinë dhe sundimin e ligjit, në mënyrë të bëhet një vend anëtar brenda 5 viteve të ardhshme. (A2 Televizion)