Rreth 4 mijë punonjës të shëndetësisë i janë bashkuar një grevë në të gjitha spitalet përreth Kroacisë. Ata kërcënojnë që të ofrojnë vetëm shërbimet bazike dhe emergjente për pacientët deri sa qeveria të marrë në konsideratë kërkesën e tyre për paga më të larta.
“Ata i kanë hequr shtesat që kemi për të punuar në kushte të veçanta. Jemi të gjithë punonjës të profesioneve që punojmë në zona të rrezatimit jonizues me burime të hapura dhe të mbyllura rrezatimi, citostatike dhe të ngjashme”, thotë infermieri Marin Tomelic.
Punonjësit e shëndetësisë shpresojnë që qeveria ta marrë shpejt në konsideratë kërkesën për rritje me 20 për qind të bazës për llogaritjen e pagave të tyre. Gjithashtu ankohen për punën me orare të tejzgjatura pasi shumë kolegë të tyre kanë lënë Kroacinë për Perëndimin, duke bërë që në spitale të ketë mungesë stafi. Tomeliç u kërkoi falje të gjithë pacientëve që nuk do të marrin trajtime apo diagnoza për aq sa do zgjasë greva.
“Pacientët mbështesin grevën dhe janë të vetëdijshëm për punën që ne bëjmë pasi na shohin nga afër. Ne punojmë pa pushim dhe shkatërrojmë shëndetin tonë për t’i kuruar pacientët”, shprehet Tomelic.
Negociatat me qeverinë kanë nisur që në mars, por ministri i shëndetësisë, Vili Beros, nuk sinjalizon ndonjë shqyrtim të kërkesave të tyre duke e rrëzuar atë që e quan “një shantazh”. (A2 Televizion)