Rusia ka reaguar me kritika ndaj vizitës së kreut të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar vëmendjen e shtuar të Vladimir Putin ndaj rajonit tonë. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, i konsideroi deklaratat e kreut të aleancës, Jens Stoltenberg, në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, si provokim dhe ndërhyrje në punët e brendshme.
Synimi i shefit të aleancës, sipas saj, ishte shtyrja e këtyre shteteve drejt bashkëpunimit me NATO-n. Lidhur me planin për nxitjen e luftës në Ballkan, të denoncuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, Zakharova pretendoi se ky është një tjetër rast kur blloku ushtarak i atlantikut të veriut “frikëson partnerët e tyre me kërcënime imagjinare që vijnë nga Rusia”.
“Deklarata e Stoltenberg për gatishmërinë e bllokut ‘për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë’, siç përcaktohet në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 12 44, dhe hapat për të shtuar kontigjentin e Forcës së Kosovës, ngre shumë pikëpyetje. Asnjë fakt i vetëm nuk dihet kur kontingjenti i NATO-s mbrojti serbët nga veprimet e paligjshme të përfaqësuesve të Prishtinës, nga veprimet e tyre agresive në veri të rajonit. NATO duhet të ndalojë politikën e saj të destabilizimit të Ballkanit, duke vendosur rregullat e veta atje dhe duke krijuar vija të reja ndarëse. Siç tregon historia, shfaqja e një aleance në Ballkan shoqërohet gjithmonë me pikëllim dhe humbje jetësh, shkatërrime dhe krime lufte”, tha Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.
Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse nuk i ndali akuzat ndaj perëndimit, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian po nxisin serbofobi agresive në Kosovë. Zakharova përmendi me zemërim faktin se ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë herë, qeveria e Albin Kurtit nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. (A2 Televizion)