Samiti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, ka nisur punimet në Shkup të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e 57 vendeve anëtare të organizatës, përfshirë shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.
Në vizitën e tij të parë në një shtet anëtar të NATO-s që prej nisjes së luftës në Ukrainë, Lavrov mbërriti në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut në orët e para të së enjtes. Pjesëmarrja e tij u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e BE-së, që ndalonin fluturimet nga Rusia. Kjo ka shkaktuar debate e reagime të shumta, nëse Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër luftës së paprovokuar të Ukrainës.
Kievi dhe shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, në shenjë pakënaqësie e kanë bojkotuar samitin.
Më herët në Shkup, mbërriti sekretari i shtetit, Anthony Blinken, që mori pjesë në një darkë joformale, dhe fotografi familjare mbrëmjen e së mërkurës. Kryediplomati amerikan u largua pas darkës, duke shmangur kështu një përballje me homologun rus, Lavrov.
Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani, diplomati amerikan ka përgëzuar Shkupin për kryesimin me sukses të OSBE-në, ndërsa mirëpriti edhe përzgjedhjen e Maltës si kryesuesen e radhës me këtë organizatë gjatë vitit 2024.
Në prag të samitit, shefi i diplomacise së BE-së, Josep Borrell tha se anëtaret e OSBE-së ishin të bashkuar kundër agresionit rus. (A2 Televizion)