“Nuk duam rikthim të konflikteve në Ballkan”, Blinken: NATO do të vijojë të jetë shtyllë e sigurisë në rajon

Nga Rosalba Bejdo
29 Nëntor 2023, 15:16 | Ballkani

Situata në Ballkanin Perëndimor, vijon të dominojë diskurset e diplomacisë ndërkombëtare, në një sinjal të shqetësimeve në rritje për sigurinë në rajonin tonë. Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken, theksoi se gjëja e fundit që duan është një rikthim i konflikteve në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se gjatë takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, kishin diskutuar mbi rolin e aleancën në rajon. Sipas tij, NATO ka qenë dhe do të mbetet shtylla e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

“Një gjë që ne nuk duam të ndodhë në të ardhmen është kthimi i konflikteve në Ballkan. NATO ka luajtur rol kyç që të ndihmojë shtetet e rajonit të bëjnë përparim në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në stabilitetin më të gjerë evropian”.

Blinken foli edhe për tensionet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, që kanë nisur në maj dhe që kanë kulmuar në shtator, me sulmin e armatosur kundër policisë së Kosovë në Banjskë të Zvecanit.

“Aleanca është përgjigjur me vendosmëri ndaj aktorëve që synojnë të destabilizojnë veriun e Kosovës. Siç e kemi edhe më herët gjatë këtij viti, me kemi dislokuar trupa shtesë në KFOR. Po ashtu kemi thelluar bashkëpunimin tonë me forcën e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në Bosnje e Hercegovinë. Kjo po ashtu ishte pjesë e rëndësishme e bisedës sonë gjatë këtyre dy ditëve”.

Një ditë më herët, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësimin për rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor. Ai premtoi se aleanca do të bëjë gjithçka në mënyrë që të ruajë stabilitetin në rajon, ndërsa paralajmëroi mundësinë e shtimit të pranisë së NATO-s. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos