Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, OKB-ja diskuton më 17 prill, pjesë e nismës edhe Shqipëria

Nga Rosalba Bejdo
10 Prill 2024, 15:03 | Ballkani

Rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë, OKB diskuton më 17 prill, pjesë e nismës edhe Shqipëria.

Një projektrezolutë që e shpall 11 korrikun si Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, do të prezantohet më 17 prill në një takim me dyert të mbyllura në OKB.

Ruanda dhe Gjermania po e udhëheqin këtë iniciativë, por sipas informacioneve jozyrtare në hartimin e tekstit po marrin pjesë edhe Shqipëria, Shtete të Bashkuara, Bosnjë-Hercegovina, Kili, Finlanda, Jordania, Zelanda e Re e Turqia.

Shtetet anëtare do të mund të deklarohen mbi të gjatë seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në fillim të muajit maj. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Projektrezoluta e OKB-së bën thirrje për dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të të gjitha viktimave dhe kërkon vazhdimin e ndjekjes penale të autorëve të gjenocidit.

Ajo i dënon, gjithashtu, veprimet që nderojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Beogradi zyrtar, prej vitesh, kundërshton miratimin e rezolutave apo deklaratave që krimin në Srebrenicë e cilësojnë si gjenocid. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos