Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç bëri me dije se Serbia ka aplikuar për anëtarësim në Bordin Ekzekutiv të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e njohur ndryshe si UNESCO.
Për anëtarët e rinj të Bordit Ekzekutiv do të votohet më 15 nëntor dhe kandidatët janë Shqipëria, Rusia, Sllovakia, Republika Çeke dhe Uzbekistani.
Gjatë fjalimit të tij, Daçiç tha se trashëgimia kulturore serbe në Kosovë është në rrezik, duke shtuar se “trupat ndërkombëtare, që kanë për detyrë të ruajnë trashëgiminë kulturore serbe, janë të dislokuara vetëm në disa asete kulturore”.
Ai vlerësoi se trashëgimia kulturore serbe në Kosovë, ku janë 1.300 vende, është e një rëndësie të madhe jo vetëm kur bëhet fjalë për identitetin kombëtar të Serbisë, por po ashtu paraqet një pjesë të vlefshme të trashëgimisë kulturore evropiane dhe botërore.
Autoritetet në Kosovë besojnë se me anëtarësimin në UNESCO, shumë objekte të trashëgimisë kulturore në Kosovë do të gëzonin një mbrojtje në nivel ndërkombëtar. Tri manastire ortodokse në Kosovë janë nën mbrojtjen e UNESCO-s: Patrikana e Pejës, Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës, por edhe Kisha e Shën Premtës në Prizren. (A2 Televizion)