1.2 miliardë dollarë, Biden fal borxhet për 150 mijë studentë

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2024, 08:36 | Bota

1.2 miliardë dollarë, Biden fal borxhet për 150 mijë

Administrata e presidentit Biden bën me dije se ka nisur punën për të falur 1.2 miliardë dollarë borxh studentor, vendim ky nga i cili përfitojnë 153.000 persona.

Gjykata e Lartë kishte bllokuar më parë planin e Kreut të Shtëpisë së Bardhë për të anuluar borxhin e studentëve për mbi 40 milionë amerikanë.

Ky vendim që anulon mijëra dollarë borxhe vlen vetëm për një kategori të caktuar studentësh, të cilët plotësojnë kushtet dhe që do të njoftohen nëse janë përfitues apo jo.

Njoftimi nga Shtëpia e Bardhë të mërkurën zbatohet vetëm për ata që janë regjistruar në planin vullnetar të ripagimit, të cilët kanë bërë pagesa për të paktën 10 vjet dhe që fillimisht kanë marrë hua 12.000 dollarë ose më pak për shkollën.

Sipas Departamentit të Arsimit, 7.5 milionë njerëz janë të regjistruar në programin e ripagimit, i cili u krijua nga administrata Biden. Ai llogarit pagesën mujore për të ardhurat dhe madhësinë e familjes së një personi dhe jo gjendjen e tyre të kredisë, në një përpjekje për të ulur barrën financiare.

Të gjithë të regjistruarit në planin “Save” kanë të drejtë për falje kredie pas 20 deri në 25 vjet pagesash. Presidenti Joe Biden e ka shkurtuar gjithashtu afatin kohor për personat me bilanc më të vogël, duke i vendosur ata në një plan faljeje për një periudhe 10-vjeçare.

Departamenti i Arsimit do të fillojë gjithashtu të kontaktojë me njerëzit që kanë të drejtë për ndihmë, por që nuk janë regjistruar në planin Save.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden ka anuluar deri tani 138 miliardë dollarë borxh studentor për pothuajse 3.9 milionë njerëz përmes veprimeve ekzekutive.

Vitin e kaluar, Gjykata e Lartë vendosi se presidenti kishte tejkaluar autoritetin e tij me një propozim për të anuluar miliarda dollarë borxhe studentore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos