Parlamenti i Izraelit mbështeti me votë vendimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu i cili kundërshton krijimin 'e njëanshëm' të shtetit palestinez, pas thirrjeve në rritje të ndërkombëtarëve për ringjalljen e përpjekjeve për të arritur një zgjidhje me dy shtete.
Partia Likud e Netanyahut tha në një deklaratë se 99 nga 120 ligjvënës votuan për të mbështetur deklaratën e miratuar në fillim të kësaj jave nga kabineti. Izraeli thotë gjithashtu se çdo marrëveshje e përhershme me palestinezët do të duhej të arrihet përmes negociatave të drejtpërdrejta midis palëve dhe jo me diktat ndërkombëtar.
Sakaq në qytetin e Jeninit, në Bregun Perëndimor, trupat izraelite kryen një bastisje gjatë natës të së martës duke shkatërruar shtëpi, rrugë dhe makina.
Pamje rrëqethëse tregojnë burra, gra dhe fëmijë duke pritur në radhë të gjata në plazh, duke mbajtur në duar shishe bosh dhe bidona, me shpresën se me këtë rast do të kthehen me ujë.
"Situata është jashtëzakonisht e rëndë, uji nuk ka, fëmijët vuajnë çdo ditë, vajzat janë të lënduara, fëmijët janë në çadra. Djali im është i vogël dhe ka nevojë për ujë - i sjell ujin e detit dhe ai e refuzon, larjen ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë, ndërrimi i rrobave nuk është i disponueshëm; kështu që nuk ka ndërrim rrobash, nuk ka ujë, nuk ka ushqim si pjesa tjetër e botës, siç mund ta shihni. Situata është e rëndë", tha Rehma Al-Masry, Palestinez i zhvendosur.
Rreth 1.5 milion njerëz vlerësohet të jenë të grumbulluar në Rafah, shumica prej tyre kanë ikur nga shtëpitë e tyre më në veri për t'i shpëtuar sulmit ushtarak të Izraelit. (A2 Televizion)