24 viktima në Los Angeles. Vazhdon beteja me flakët, autoritetet: Katastrofa më e rëndë

Nga Rosalba Bejdo
13 Janar 2025, 10:36 | Bota

Zjarrfikësit vazhdojnë betejën për shuarjen e dy vatrave të zjarrit në Los Angeles që vijojnë të digjen, duke përfituar nga një zbutje e kushteve të rrezikshme para se fuqizimi i erërave të përhapë sërish flakët.

Erërat me fuqi uragani të regjistruara më herët gjatë javës së kaluar, u zbutën duke i dhënë frymëmarrje zjarrfikësve, por tani pritet të fitojnë sërish forcë deri në 112 km/h, duke e bërë situtatën të rrezikshme deri të mërkurën.

Autoritetet kanë paralajmëruar të gjithë popullsinë prej rreth 10 milionë banorësh se kushdo mund të urdhërohet të evakuohet si pasojë e flakëve dhe tymit toksik. 

“Kushtet e rrezikshme për përhapjen e flakëve do të vazhdojnë deri të mërkurën. Erërat e forta të ndërthurura me thatësirën do të bëjnë që alarmi për flakët në të gjithë kontenë e Los Angeles të mbetet shumë i lartë”, tha shefi i zjarrfikësve.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, konfirmoi se të paktën 24 vetë kanë humbur jetën, në atë që, sipas tij, mund të jetë katastrofa më e rëndë natyrore në historinë amerikane. Zjarret kanë reduktuar në rrënoja lagje të tëra, duke rrafshuar njësoj shtëpitë e të pasurve të famshëm, e po ashtu personave të thjeshtë, e duke lënë pas një peizash apokaliptik.

Autoritetet thonë se të paktën 12 300 struktura janë dëmtuar ose shkatërruar, e mbi 100 mijë vetë janë detyruar të evakuohen. Aktualisht, janë tre vatra zjarri që vazhdojnë të digjen, më e madhja prej të cilave Pallisejds, që ka shkrumbuar mbi 9 mijë hektarë sipërfaqe dhe ato të Eaton dhe Hurst.

Megjithatë, kjo e fundit, eshtë vënë thuajse e gjitha nën kontroll. Parashikuesi privat, AccuWeather vlerëson se dëmet dhe humbjet ekonomike mund të variojnë nga 135 miliardë në 150 miliardë dollarë. Problem tjetër me të cilin po përballen qytetarët në Los Angeles është plaçkitja e banesave të braktisura dhe rritja e madhe e qirave të dhomave të hotelit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos