27 shtetet e BE-së miratojnë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë

Nga A2 CNN
21 Qershor 2024, 14:17 | Bota

27 shtetet e BE-së miratojnë hapjen e bisedimeve të

Vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar zyrtarisht të premten nisjen e negociatave të pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për dy shtetet që i pret një rrugëtim i gjatë për t’u bashkuar me bllokun 27-vendesh.

Belgjika, e cila aktualisht mban presidencën e Bashkimit Evropian, tha se vendet anëtare kanë rënë dakord për një kornizë negociuese.

“Kjo hap rrugën për nisjen e negociatave të martën më 25 qershor në Luksemburg”, tha presidenca belge. Bisedimet do të nisin me dy konferenca ndërqeveritare.

Pas një vlerësimi pozitiv nga dega ekzekutive e BE-së, krerët e BE-së kishin rënë dakord vitin e kaluar që negociatat e pranimit duhet të fillojnë me të dy vendet.

Këtë vendim të shteteve të Unionit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e ka cilësuar një hap historik.

“Miliona ukrainas, dhe në të vërtetë breza të popullit tonë, po realizojnë ëndrrën e tyre evropiane”, shkroi presidenti ukrainas në platformën X.

"Ukraina po kthehet në Evropë, ku e ka vendin prej shekujsh, si një anëtare e plotë e komunitetit evropian," shtoi ai.

Procesi midis fillimit të negociatave me Ukrainën dhe fqinjin e saj Moldavinë dhe anëtarësimit të tyre në BE mund të zgjasë shumë vite.

Për t'u anëtarësuar në BE, vendet kandidate duhet të kalojnë një proces të gjatë për të përafruar ligjet dhe standardet e tyre me ato të bllokut dhe për të treguar se institucionet dhe ekonomitë e tyre përmbushin normat demokratike.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani