Alarmi nga ish-agjentët amerikanë: Kim Jong Un ka marrë vendim për t’u futur në luftë

Nga Xhevahir Qardaku
23 Janar 2024, 15:34 | Bota

“Kim Jong Un po përgatitet për luftë?!”. Kështu titullohet artikulli i publikuar nga dy ish agjentë të inteligjencës amerikane, të specializuar në studimin e Koresë së Veriut.

“Ne besojmë se, ashtu si gjyshi i tij në vitin 1950, Kim Jong Un ka marrë një vendim strategjik për t’u futur në luftë”, shkruan Robert Karlin, një ish analist i CIA-s dhe Zigfrid Heker, një shkencëtar bërthamor që ka vizituar Veriun disa herë.

Një deklaratë e tillë ndezi kambanat e alarmit në Uashington dhe Seul dhe një debat masiv në qarqet vëzhguese të Koresë së Veriut. Megjithatë, ekspertë të ndryshëm vërejnë se diktatori shpesh vepron kështu për të sjellë fuqitë perëndimore në tryezë për dialog; dhe ka presione politike edhe në vend. Karlin dhe Heker shkruajnë se Kim Jong Un nuk beson më në arritjen e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara.

“Braktisja e një objektivi të tillë nga Koreja e Veriut ka ndryshuar rrënjësisht panoramën strategjike”, shkruajnë dy ish zyrtarët e lartë amerikanë. Vëzhgues të tjerë të shtetit të izoluar nga bota, thonë se kërcënimet bërthamore janë bërë të zakonshme, por mesazhet e fundit janë paksa ndryshe.

Vetëm disa ditë nga nisja e këtij vitit, Kim Jong Un paralajmëroi se një luftë mund të nisë në çdo moment në gadishullin Korean, ndërsa ndërpreu çdo raport me Jugun.

“Pajtimi nuk është i mundur”, tha diktatori. Koreja komuniste ka kryer teste të ndryshme së fundmi, përfshirë ato që konsiderohen dronë nënujorë të aftë për të mbajtur armë bërthamore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos