Nënshkrimi i marrëveshjes midis Italisë dhe Shqipërisë për vendosjen e emigrantëve afrikanë të cilëve u refuzohet azili në Itali, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Agjencia e Lajmeve Ndërkombëtare Reuters, i ka kushtuar një reportazh këtij zhvillimi duke zbritur në portin e Gjadrit në Lezhë, duke folur me banorë vendas.
Sipas Reuters ky është shembulli i parë i një vendi jo anëtar të Bashkimit Evropian që pranon emigrantë në emër të një kombi të BE-së.
“Edhe ne (shqiptarët) kemi emigruar një herë, na kanë mirëpritur, në Greqi, në Itali, edhe në këto vende fqinje, kemi emigruar se na është dashur. Ka të varfër në gjithë botën, ka të varfër dhe emigrojnë për një jetë më të mirë", thotë Arjan Bastri, banor vendas.
Porti Gjadrit që dikur ishte shtëpia e marinës ushtarake do të pranojë emigrantë afrikanë, aziatikë dhe të Lindjes së Mesme të dërguar nga Italia si pjesë e një marrëveshjeje që ka tërhequr kritika nga grupet e mbrojtjes së vetë të drejtave të njeriut. Marrëveshja, do t'i lejojë Italisë të ndërtojë qendra të grumbullimit të emigrantëve në territorin e vendit tonë, një nga më të varfrit dhe më pak të zhvilluarit në Evropë.
“E mirëpres këtë marrëveshje pasi e ndjej një detyrim shpirtëror sepse fëmijët e mi janë rritur në Itali. Italia ishte aty për ne në ditët më të vështira të historisë sonë në vitet ’90, u bë porta e Shqipërisë”, thotë Mhill Marku, ish-oficer shqiptar nga Shëngjini.
Emigrantët nga Shëngjini do të udhëtojnë me makinë për në Gjader, ku do të akomodohen derisa të shqyrtohen kërkesat e tyre. Të dy objektet në Shëngjin dhe në Gjadër do të kenë personel italian. Numri i përgjithshëm i emigrantëve të pranishëm në një kohë në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3000 sipas marrëveshjes.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vendimin e datës 5 shkurt e vulosi marrëveshjen "në përputhje me kushtetutën" dhe i dha dritën jeshile për miratim në Parlament. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se mund të jetë e vështirë për gjykatat italiane që të shqyrtojnë menjëherë kërkesat për azil ose apelimet kundër urdhrave të ndalimit nga njerëzit e pritur në një vend tjetër dhe se procedurat e gjata mund të vënë një barrë të pajustifikuar mbi emigrantët. (A2 Televizion)