Themeluesi i WikiLeaks, Julain Asasnge nuk do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjykata në Mbretërinë e Bashkuar në konkluzionin e vendimit kërkoi garanci nga autoritetet amerikane se nuk do të dënohej me vdekje për akuzat e spiunazhit. Vendimi nënkupton se beteja e tij ligjore, thuajse 10 vjeçare, do të vazhdojë dhe se Julian Assange do të vazhdojë të mbetet në burgun e sigurisë së lartë të Londrës, ku po mbahet prej 5 vjetësh.
"Vendimi i gjykatës është befasues. Gjykatat pranojnë se Julian është i ekspozuar ndaj një mohimi flagrant të të drejtave të lirisë së shprehjes, se ai po diskriminohet në bazë të kombësisë së tij si australian dhe se ai mbetet i ekspozuar ndaj dënimit me vdekje. Ajo që gjykatat nuk kanë rënë dakord të shikojnë është prova që Shtetet e Bashkuara kanë komplotuar për të vrarë Julian, për ta rrëmbyer atë, sepse nëse e pranojnë atëherë sigurisht nuk mund të dërgohet në SHBA”, tha Stella Assange, gruaja e Julian Assange.
Prokurorët amerikanë synojnë që 52 vjeçari të gjykohet për 18 akuza, të mbështetura tek Akti i Spiunazhit, lidhur me publikimin e dokumenteve sekrete diplomatike dhe të ushtrisë amerikane, në faqen e tij të internetit, Wikileaks.
Autoritetet amerikane kanë premtuar se Assange nuk do dënohet me vdekje, por gjyqtarët britanikë thanë se "asgjë në garancinë ekzistuese nuk e pengon në mënyrë eksplicite vendosjen e dënimit me vdekje". Nëse nuk jepen këto garanci, Assangedo t’i mundësohej e drejta e apelit. Problemet ligjore të Assange filluan në vitin 2010, kur u arrestua në Londër me kërkesë të Suedisë, e cila donte ta merrte në pyetje në lidhje me akuzat për përdhunim dhe sulme seksuale të bëra nga dy gra. Në vitin 2012, Assange u dorëzua me kusht dhe kërkoi strehim brenda ambasadës së Ekuadorit. (A2 Televizion)