Bombardime në Liban e Siri, Biden dhe Netanyahu diskutojnë “planin e hakmarrjes”

Nga Rosalba Bejdo
10 Tetor 2024, 11:14 | Bota

Pesë punonjës të shëndetësisë në jug të Libanit, mbetët të vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite, duke e çuar në 115 totalin e viktimave mes stafit mjekësor që prej nisjes së operacionit izraelit në Liban muajin e kaluar.

A2 raporton se IDF bombardoi Bejrutin gjatë natës dhe tha se kishte vrarë dy komandantë të Hezbollahut, përgjegjës për sulmet raketore kundër Izraelit, dhe se kishte goditur depo armësh në Bejrut dhe infrastrukturë tjetër ushtarake në jug të Libanit. Ushtria njoftoi gjithashtu se kishte eliminuar një pjesëtar të Hezbollahut në Siri, i cili kishte transmetuar informacione të inteligjencës kundër Izraelit në Lartësitë e pushtuara të Golanit.

Siç bëhet e ditur, Adham Jahout, pjesë e Rrjetit Terrorist të Golanit, ishte vrarë në zonën e Quneitra në Siri, e po ashtu mediat në këtë vend raportuan sulme izraelite.

Përleshjet në terren mes forcave izraelite dhe militantëve të Hezbollahut u përhapën përgjatë kufirit malor në jug të Libanit, të mërkurën, ndërsa Lindja e Mesme mban frymën për raprezaljen e paralajmëruar të Izraelit kundër Iranit, shkruan A2.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri Izraelit Benjamin Netanjahu biseduan të mërkurën, lidhur me planin e hakmarrjes, në një telefonatë që u cilësua si pozitive nga të dyja palët. Në bisedën 30 minutëshe, Biden i kërkoi Netanjahut të minimizojë dëmet ndaj popullsisë civile në Liban. Netanjahu nga ana e tij u zotua se armiku i betuar, Irani do të paguajë për sulmin raketor të disa ditëve më parë, që shkaktoi pak dëme në Izrael. Teherani paralajmëron se çdo sulm do të marrë përgjigje shkatërruese, duke ngritur shqetësimet për zgjerimin e luftës në rajonin e pasur me naftë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos