Në periferi të El Salvadorit qëndron Cecot, një burg masiv i njohur si "Qendra e Burgimit për Terroristët". Me strukturën e tij të frikshme dhe sigurimin e rreptë, ky burg strehon disa nga kriminelët më të rrezikshëm të vendit, anëtarë të bandave si MS-13 dhe Barrio 18. Në kushtet e reja të burgimit, këta njerëz, të cilët dikur mbanin në terror qytetet dhe rrugët e El Salvadorit, por edhe të Shteteve të Bashkuara, tashmë jetojnë të izoluar nga bota, pa ndonjë shpresë për lirim.
Nën drejtimin e presidentit Nayib Bukele, El Salvadori është transformuar nga një “kryeqytet i vrasjeve” në një vend më të sigurt. Sipas zyrtarëve, arrestimet masive dhe trajtimi i rreptë ndaj anëtarëve të bandave janë të domosdoshme për të mbrojtur qytetarët. Këta të burgosur mbahen në kushte të ashpra, brenda qelive të vogla me krevate metalikë dhe pa ndonjë komoditet tjetër. Çdo qeli mban rreth 80 të burgosur, të cilët lejohen të dalin vetëm 30 minuta në ditë për të bërë ushtrime fizike ose për të lexuar Biblën.
Kritikët ndërkombëtarë dhe organizatat për të drejtat e njeriut, megjithatë, shprehen të shqetësuar. Ata argumentojnë se kushtet e burgimit janë çnjerëzore dhe shkelin të drejtat bazë të njeriut. Juan Carlos Sánchez nga Fondacioni për Procesin e Drejtë të Ligjit tha për CNN se, ndonëse burgimi është i justifikueshëm për kriminelët, kushtet e jetesës duhet të jenë të pranueshme për shëndetin fizik dhe mendor.
Megjithatë, për shumë qytetarë të El Salvadorit, politika e ashpër e Bukeles ka sjellë një ndjenjë sigurie që ata nuk e kanë përjetuar më parë. Për ta, Cecot përfaqëson një kthesë historike që ka transformuar vendin nga një vend i mbushur me krim në një shoqëri të qetë dhe të lirë nga frika e përditshme e dhunës. (A2 Televizion)