“Protesta e ka arritur qëllimin”, Hajdari: Deputetët e PD-së ikin kur bërtitet “Berisha në burg”

Nga A2 CNN
24 Qershor 2026, 23:02 | Politikë

Rudina Hajdari, ish-deputete e Partisë Demokratike, u shpreh e bindur se protesta qytetare, edhe nëse shuhet sot, e ka arritur qëllimin e saj.

“Mendoj që kjo protestë është e suksesshme dhe mendoj që e ka arritur qëllimin e saj. Mendoj që qëllimi i protestës ka qenë dobësimi i Edi Ramës. Pavarësisht që thuhet dorëheqje, mendoj se ka dobësuar Edi Ramën, ka dobësuar Sali Berishën, ka dobësuar të gjithë ata të cilët sot fshihen. Politikanët sot unë i shikoj shumë të frikësuar. Jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë i shikoj shumë të frikësuar. Ata që shkojnë në protestë, shumë larg protestës rrinë. Pse nuk afrohen? Edhe sa bërtasin “Rama në burg, Berisha në burg” ikin me vrap sepse kanë një detyrë dhe e dinë se sa e vështirë është të rrish në një parti pa dëgjuar kryetarin. Duhet ta vrasin edhe këta frikën, këta deputetët që janë aty në Parlament, që janë kartona dhe nuk i shërbejnë qytetarëve”, tha Hajdari në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Sido që të shkojë kjo protestë, edhe të shuhet nesër, unë mendoj që e ka arritur qëllimin. Edi Rama, sado të rrijë në pushtet, pas kësaj proteste është në të keqen e tij sepse ai e ka humbur legjitimitetin. Ai është kot aty. Kështu që, sado që të rrijë aty, është vetëm në dëmtim të figurës së tij dhe të historisë së tij si kryeministër. Sepse ai e ka humbur besimin e qytetarëve shqiptarë”, shtoi ish-deputetja demokrate.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos