Diskutimet për vijimin e armëpushimit në Gaza kanë dështuar. Lajmin e bën të ditur BBC, duke cituar burime brenda grupit negociator në Doha.
Edhe pse mëngjesin e së premtes Izraeli rinisi sulmet ajrore pas një jave të gjatë pauze, bisedimet për vijimin e armëpushimit kanë vijuar gjatë ditës me shpresën se mund të zgjatej më tej.
Kujtojmë se Izraeli ka rinisur sulmet ndaj objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës pas përfundimit të armëpushimit 7-ditor. Ushtria izraelite bombardoi dhjetëra objektiva të militantëve në Gaza, gjatë mëngjesit të sotëm, teksa ka pasur dhe kundërpërgjigje nga ana e Hamasit me raketa drejt qyteteve në Izrael.
Kryeministri Netanjahu deklaroi në një komunikim me mediat se pakti nuk zgjat më tej, pasi Hamasi e shkeli atë duke mos liruar të gjitha gratë, si dhe organizoi sulme me raketa ndaj Izraelit.
Kreu i qeverisë përsëriti edhe njëherë objektivat se synimi kryesor është lirimi i të gjitha pengjeve, asgjësimi i Hamasit dhe moslejimi që ai të kthehet një kërcënim në të ardhmen. (A2 Televizion)