Kjo mund të jetë dita e armëpushimit për Gazën. Lideri i Hamas, Ismail Haniyeh, gjendet në Kajro të Egjiptit për bisedime lidhur me një ndërprerje të mundshme të luftimeve. Nga ana tjetër, presidenti izraelit, Isaac Herzog, thotë se vendi i tij është gati për një tjetër pauzë humanitare. CNN raporton se shteti hebre i ka propozuar Hamasit një armëpushim njëjavor në Rripin e Gazës në këmbim të lirimit të 40 pengjeve.
Por Haniyeh kërkon lirimin e disa palestinezëve të arrestuar nga Izraeli pas 7 tetorit. Përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të votuar në Këshillin e Sigurimit për një armëpushim urgjent janë shtyrë për shkak të mosmarrëveshjeve. Shtetet e Bashkuara thonë se po punojnë me anëtarët e tjerë për tekstin e dokumentit, ndërsa ka vendosur veton për rezolutat e mëhershme. Agjencitë humanitare po ngrenë zërin gjithnjë e më shumë, në kërkim të ndalimit të luftës, pasi kushtet në enklavën palestineze janë tepër të rënda. OKB-ja ngre alarmin duke raportuar se mbi 360 mijë persona janë prekur nga sëmundje infektive mes 1.5 milionë njerëzve të zhvendosur në Gaza.
UNICEF-i paralajmëron se me mungesën e ujit të pijshëm dhe higjienë, numri i fëmijëve që mund të humbin jetën në enklavën palestineze do të rritet.
Ndërkohë, mediat raportojnë se një prej liderëve të Hamas, Jahja Sinëar, ka shmangur kapjen nga ushtria izraelite në të paktën dy raste. Kurse vetë forcat e armatosura të Tel Avivit konfirmuan se shefi i ushtrisë së militantëve palestinezë, Qassam Deif, është ende gjallë, pas 7 tentativave për ta vrarë. Që prej nisjes së luftës më 7 tetor, janë vrarë 1200 izraelitë dhe rreth 20 mijë palestinezë. (A2 Televizion)