Shtetet Europiane thuajse kanë dyfishuar importet e armëve mes viteve 2019-2023, krahasuar me 4-vjeçarin paraardhës. Eksportuesit më të mëdhenj rezultojnë Shtetet e Bashkuara dhe Franca, ndërsa Rusia ka shënuar rënie, duke kaluar për herë të parë në vend të tretë.
Këto janë përfundimet e raportit të Institutit Ndërkombëtar për Kërkim të Paqes (SIPRI), i publikuar më 11 mars. Sipas tij, SHBA-ja i ka rritur eksportet më 17 për qind, gjatë 4 viteve të fundit.
Siç thuhet, rreth 55 për qind e armatimeve të importuara nga shtetet europiane në periudhën 2019-2023 ishin nga Shtetet e Bashkuara.
“Mbi gjysma e importeve të armëve nga shtetet evropiane vjen nga SHBA-ja. Në të njëjtën kohë, Evropa është përgjegjëse për pothuajse një të tretën e eksporteve botërore të armëve, përfshirë volume të mëdha që shkojnë jashtë rajonit dhe që reflektojnë aftësinë e fortë të industrisë ushtarake të Evropës”.
SHBA-ja dhe shtetet e Evropës Perëndimore së bashku përbëjnë 72 për qind të të gjitha armëve të eksportuara 4 vitet e fundit. Sa i përket Francës, ajo për herë të parë u bë eksportuesja e dytë më e madhe në botë e armëve, me një rritje prej 47 për qind. Në raportin e titulluar “Trendet e zhvendosjes së armëve 2023”, sa i përket importeve të armëve në Evropë, u tha se ato janë rritur me 94 për qind.
Kjo është rritja e katërt më e madhe në botë, pasi të paktën 30 shtete kanë ofruar armë si ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga viti 2022, kur edhe Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të këtij shteti.
Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia gjendet në raportin e SIPRI-t në pjesën e shteteve që kanë importuar armë. Sipas të dhënave, ajo ka siguruar 22 për qind të importit të armëve bjelloruse, duke u renditur në vend të dytë pas Vietnamit. (A2 Televizion)