Sondazh: Cilat janë faktorët më të rëndësishëm për zhvillimin e një fëmije?
  • Edukimi shkollor 0%
  • Kujdesi familjar 100%
  • Ndikimi i shoqërisë 0%

“Far West” në autostradat italiane. Pritë me mitralozë autoblindave që transportojnë para në Milano dhe Sardenjë

Nga A2 CNN
4 Dhjetor 2023, 14:27 | Bota

Autostradat italiane janë kthyer në skena krimi të ngjashme me ato të filmave “Far West” këtë të hënë, teksa në dy incidente të ndryshme në Milano dhe Sardenjë, u është zënë pritë dhe janë sulmuar me armë zjarri autoblindat që transportonin para.

Sulmi i parë ndaj autoblindave ndodhi pak pas orës 06:00 në autostradën A4 Milan-Torino, ku u tentua të bllokohej pranë urës mbi Ticino, në zonën e Novaras.

Grabitësit kanë qëlluar me armë zjarri por nuk ka të lënduar

Një bandë hajdutësh të armatosur u përpoqën të bllokonin autoblindën duke vendosur një kamion anash rrugës dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri.

Megjithatë, drejtuesi i makinës së blinduar ka arritur ta devijojë atë dhe të vazhdojë udhëtimin, duke shpëtuar veten. Banditët, për t’i shpëtuar policisë gjatë arratisjes, hodhën gozhdë në rrugë.

Në mesin e dëshmitarëve ishin edhe disa shoferë kamioni.  “Ne jemi të bllokuar që nga mëngjesi. Fillimisht nuk ishte e qartë se çfarë ndodhi, ata më pas na thanë se kanë qëlluar me armë. Kamioni i ngecur në mes të rrugës ishte bosh kur mbërritëm, por nuk kishte çelësa. Kriminelët i morën ato”, tha një prej tyre.

Kamioni i përfshirë në tentativën për të bllokuar makinën e blinduar është ende i ndaluar në vend dhe hetuesit po punojnë për të kuptuar se sa persona ishin gati për sulmin në autostradë.  Ndërkohë, A4 është rihapur pas bllokimit të pjesshëm të qarkullimit, por në të dy drejtimet mbeten radhë prej kilometrash.

Ndërkohë, incidenti i dytë ka qenë edhe më i rëndë dhe ka ndodhur në autostradën 125, në Ogliastra të Sardenjës juglindore, pak para orës 08:00.

Grabitësit kanë përdorur mitralozë dhe pistoleta kur qëlluan në drejtim të autoblindave.

Sipas mediave italiane një grup komando ka bllokuar rrugën në kilometrin 91, në afërsi të kryqëzimit për Terteninë, duke shkaktuar panik tek drejtuesit e automjeteve, trafik dhe ndërhyrjen e ambulancave dhe një helikopteri, të cilët kanë përhapur lajme të pakonfirmuara për të lënduar.

Banditët, të paktën 6 në këtë rast, detyruan një kamion që po transportonte makina të ndalonte dhe e vendosën mjetin anash. Ata qëlluan gomat dhe i drejtuan armët shoferit, e detyruan të dilte dhe i hodhën çelësat buzë rrugës, duke e bllokuar më tej atë edhe me një zinxhir të madh me gjemba.

Menjëherë pas kësaj, automjeti i blinduar që ishte nisur për në Cagliari u desh të ndalonte dhe rojet janë ruajtur duke u strehuar në kabinë.

Megjithatë, ata kanë hapur dyert pasi grabitësit kanë larë me benzinë mjetin e blinduar dhe i kanë vënë flakën. Gjithashtu është djegur një furgon dhe një makinë, ndërsa re tymi të zi u ngritën mbi autostradë.

Është ende e paqartë nëse grupi i grabitësve kanë marrë me vete çantat me para që transportonte makina e blinduar.

Informacioni fillestar përjashton lëndimet e drejtuesve të mjeteve dhe shoferëve, pasi grabitësit kanë qëlluar vetëm në ajër. Sakaq, autostrada ka qëndruar e mbyllur për qarkullim deri në orët e vona të mëngjesit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli