Një grabitje e pazakontë ka ndodhur në një zyrë postare, në provincën e Foxhias, në Itali.
Një bandë prej pesë grabitësish ka mësyrë në postën San Marco në Lamis, duke përdorur një ekskavator për të nxjerrë nga vendi kasafortën ku ruheshin paratë.
Hetuesit janë ende duke kryer veprimet përkatëse për të zbuluar grabitësit, por fakt është se janë grabitur 325 mijë euro.
Hetuesit po kontrollojnë kamerat e sigurisë së zyrës postare dhe zonës përreth. Deri më tani, dihet se pasi kanë tërhequr kasafortën, grabitësit i vunë flakën një automjeti dhe e pozicionuan në një kryqëzim rrugësh për të parandaluar mbërritjen e policisë në kohë.
“Kjo është një ngjarje e tmerrshme. Dëmi është i madh. Posta, e vetmja e pranishme në qytet, mund të dalë jashtë përdorimit për muaj të tërë. Sot ishte dita e grumbullimit të pensioneve. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për popullatën e moshuar”, tha për Ansa, kryebashkiaku i San Marco, Michele Merla. (A2 Televizion)