Atentati ndaj kryeministrit sllovak, liderët botërorë: Jemi të shokuar, akt prej frikacaku

Nga Erjon Dervishi
15 Maj 2024, 18:54 | Bota

Plagosja me armë zjarri e Kryeministrit sllovak Robert Fico, ka shokuar politikën sllovake dhe liderët botërorë. Presidentja e Sllovakisë përpos lajmit të hidhur që përjetoi i kërkoi shoqërisë dhe politikës sllovake që të mos arrijnë në përfundime dhe gjykime të shpejta.

Për presidenten sllovake, jeta e kryeministrit Fico është më e rëndësishme.

“Jam e shokuar, jemi të gjithë të tronditur nga sulmi i tmerrshëm dhe dashakeq ndaj kryeministrit Robert Fico, ka ndodhur diçka e rëndë që nuk mund ta kuptojmë ende. Sulmi fizik ndaj kryeministrit është në radhë të parë sulm ndaj një personi, por kjo është gjithashtu një sulm ndaj demokracisë. Ju lutemi mos bëni gjykime të shpejta dhe mendoni për gjënë më të rëndësishme: që Robert Fico të shërohet sa më shpejt që të jetë e mundur."

Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian, dënoi agresionin, i cili gjithashtu tronditi Bashkimin Evropian dhe aleatët e vendeve anëtare të NATO-s në Evropën Qendrore. "Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, të mirën tonë", tha Von der Leyen.

Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh i tronditur në X, duke shtuar se: "Lajmi për atentatin frikacak ndaj kryeministrit sllovak Fico më trondit thellë. Dhuna nuk duhet të ketë vend në politikën evropiane”.

Kancelari konservator i Austrisë Karl Nehammer tha gjithashtu se ishte i tronditur, duke shtuar se: "Urrejtja dhe dhuna nuk duhet të lejohen të zënë vend në demokracitë tona dhe duhet të luftohen me vendosmërinë më të madhe!". Po ashtu Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se ai ishte "i tronditur dhe i tmerruar" për ngjarjen e ndodhur. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy shprehu solidaritetin e tij dhe tha se dhuna nuk duhet të jetë normë në asnjë vend.

Robert Fico, 59 vjeç, u dërgua me urgjencë në spital në spitalin e Handlovas pasi mbajti një takim qeveritar dhe po trajtohet pas ndërhyrjes urgjente.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli