Atentati ndaj kryeministrit sllovak, shkrimtari i njohur qëlloi mbi Robert Fico

Nga A2 CNN
15 Maj 2024, 17:45 | Bota

Një shkrimtar 71-vjeçar sllovak i quajtur Juraj Tsintula është sipas mediave vendase, autori i ngjarjes së ndodhur në qytetin Hadlova, ku ai tentoi të vriste kryeministrin e vendit Robert Fico, duke e qëlluar disa herë me armë.

Sipas raportimeve, Tsintula ka bërtitur në drejtim të Fico-s teksa ky i fundit po fliste me mbështetësit e tij dhe kur i është afruar për t'i dhënë dorën, ka hapur zjarr.

71-vjeçari është një nga themeluesit e klubit letrar DÚHA, i hapur në vitin 2005. Deri në vitin 2016 ka qenë president i klubit dhe ka shkruar tre përmbledhje me poezi. Që nga viti 2015 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve sllovakë. Sipas informacioneve, në vitin 2016 ai punonte si shofer në një qendër tregtare në Levice, qytetin që është vendlindja e tij.

Tsintula thuhet se kishte në pronësi të ligjshme armën të cilën e përdori për të shtënë në drejtim të kryeministrit sllovak. Ai u arrestua menjëherë pas incidentit të përgjakshëm.

Për median lokale Aktuality.sk ka folur djali i shkrimtarit, i cili ka thënë se është tronditur nga kjo situatë, ndërsa konfirmoi se babai i tij kishte leje për armë.

"Unë nuk  kam absolutisht asnjë ide se çfarë po bënte babai im, çfarë po planifikonte dhe pse ndodhi e gjithë kjo. Ai është i fortë, por nuk kishte qenë ndonjëherë në një psikiatër apo diçka e tillë”, tha ai.

Kur u pyet nëse i ati ka shprehur më parë ndjenja urrejtje ndaj kryeministrit Fico, ai u përgjigj: “Unë do t'ju them kaq, ai nuk e votoi atë. Kaq mund të them”.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli