Bombardimet amerikane në Bagdad nuk do të jenë të fundit në hakmarrjen për sulmin që vrau 3 ushtarë të SHBA-së në kufirin e Jordanisë me Sirinë. Një zyrtar i qeverisë Biden, thotë se presidenti ka autorizuar më shumë aksione në ditët në vijim
“Mendoj që ky është vetëm fillimi i një lloji të ri shënjestrash. Do të synojmë drejtpërdrejtë kupolën”, tha Wesley Clark, gjeneral në pension, ish-komandant suprem i NATO.
Kataib Hezbollah konfirmon se një nga komandantët e tij ka vdekur, si rezultat i sulmit në Bagdad. Komanda Qendrore e SHBA-së thotë se ai ishte përgjegjësi për sulmin e militantëve të mbështetur nga Irani ndaj forcave amerikane në rajon.
“Ne zbuluam ku ai jetonte dhe si lëvizte, pastaj e hoqëm qafe. Të tjerët që punojnë kundër nesh duhet të presin të njëjtën gjë”, tha Clark.
Komanda operacionale e Irakut e quajti sulmin amerikan një agresion që minon mirëkuptimin mes aleatëve. Megjithatë, asnjë civil nuk është lënduar nga bombardimi, sipas Pentagonit.
“Shënjestrimi ishte shumë i saktë, duke përdorur inteligjencën më të mirë”, u shpreh Cedric Leighton, kolonel në pension, forcat ajrore të SHBA-së.
Komanda Qendrore e SHBA-së thotë se nuk do të hezitojë të sulmojë ata që rrezikojnë trupat amerikane.
“Kur themi paqe përmes fuqisë, nuk duhet të harrojmë pjesën e fuqisë”, tha Dan Crenshaë, anëtar i komitetit për sigurinë e brendshme. (A2 Televizion)