Revanshi i ekstremit të djathtë, zgjedhjet për Parlamentin Europian nën hijen e luftës në Ukrainë

Nga Erjon Dervishi
7 Shkurt 2024, 23:31 | Bota

Zgjedhjet e qershorit për Parlamentin Europian pritet të kenë një impakt të madh për të ardhmen e qytetarëve të BE-së. Sondazhet e fundit, të bëra pubike nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, tregojnë një rritje eksponenciale të ekstremit të djathtë dhe populistëve.

Rritja e krahut të djathtë në sondazhe parashikon se e djathta nacionaliste dhe e djathta ekstreme mund të marrin deri një të katërtën e vendeve në Parlamentin Evropian. Sipas analistëve të politikave europiane, e djathta ekstreme për herë të parë pas zgjedhjeve të qershorit do të jetë në gjendje të ndikojë politikat europiane. Kjo do t’i japë mundësi asaj që të kërcënojë vlerat mbi të cilat është themeluar Europa, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, si dhe të bllokojë ligjet kryesore për ekonominë e gjelbër.

Por, kërcënimi kryesor mbetet qasja që populistët dhe e djathta ekstremiste ka për luftën në Ukrainë. Rritja e eurodeputetëve simpatizues të Vladimir Putinit pritet të jetë e lartë, çka mund të reduktojë ndihmat logjistike dhe monetare për Ukrainën. POLITICO raporton se në shumë vende evropiane, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, partitë e vijës së ashpër kundër emigracionit, disa prej tyre ekstreme si Geert Wilders i Holandës, janë aktualisht në krye të sondazheve.

Rritja e grupimeve politike të ekstremit të djathtë vitet e fundit e ka bërë më të kujdesshme organizimin e Parlamentit Evropian duke i bllokuar anëtarët e ekstremit të djathtë nga mbajtja e ndonjë posti me ndikim në Parlament, si kryesimi i komisioneve, përfshirja në negociata ose ulja në byronë e deputetëve kryesorë të PE që merret me punët e brendshme të institucionit.     

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli