Izraeli dhe Hamasi janë në diskutime për zgjatjen me dy ditë të tjera të armëpushimit që ka hyrë në fuqi që nga e premtja. Lajmin e bëri të ditur gazeta Al-Araby Al-Jadeed, duke cituar burime nga Egjipti.
Marrëveshja pritet të zgjatet me kushtet që janë aktualisht në fuqi. Një burim izraelit i cituar nga Haaretz konfirmoi se ky është propozimi në shqyrtim, duke saktësuar se ende nuk është pranuar.
Zbatimi i marrëveshjes do të varet nga mundësia e Hamasit për të liruar 10 pengje të tjera izraelite në ditë. Kujtojmë se armëpshumi u zgjat një ditë më parë me dy ditë. Pas shtyrjes, Hamasi liroi edhe 12 pengje, 10 izraelitë dhe dy të huaj.
Ndërkohë, shefi i NATO-s deklaroi ditën e sotme se Aleanca po shpreson në një zgjatje të mëtejshme të pauzës mes palëve në luftë.
"Në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s u shpreh shqetësimi për situatën në Lindjen e Mesme dhe në të njëjtën kohë ata mirëpresin zgjatjen e pauzës në armiqësitë midis Hamasit dhe Izraelit që do të lejojë ardhjen e ndihmës së mëtejshme për Gaza dhe lirimi i pengjeve të tjera dhe shpresojmë për zgjatje të mëtejshme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jen Stoltenberg. (A2 Televizion)