Hamasi akuzon Izraelin për shkelje të hapur të armëpushimit në Gaza

Nga A2 CNN
28 Nëntor 2023, 19:03 | Bota

Hamasi akuzon Izraelin për shkelje të hapur të armëpushimit

Hamasi ka akuzuar të martën Izraelin për shkelje të hapur të armëpushimit në Gaza. Megjithatë, grupi militant thekson se ata vetë vijojnë të jenë ende të përkushtuar për ta respektuar marrëveshjen.

Në një deklaratë, Hamasi u bëri thirrje ndërmjetësve që të ndërhyjnë për të përforcuar armëpushimin. AFP, duke cituar deklaratën, raporton se Hamasi ka bërë të ditur se veprimet e Izraelit kishin çuar në hakmarrje nga luftëtarët e tij, pa dhënë asnjë detaj të mëtejshëm.

Nga ana tjetër, më herët, IDF bëri të ditur se një numër ushtarësh u plagosën lehtë pasi tre mjete të ngarkuara me lëndë plasëse shpërthyen pranë trupave të IDF, në dy vende të ndryshme në pjesën veriore të Gazës.

Sipas forcave izraelite të mbrojtjes, në një nga lokacionet, "terroristët gjithashtu hapën zjarr ndaj trupave, të cilët po ashtu, u përgjigjën me zjarr".

Edhe pse ka pauzë në luftime, luftëtarët izraelitë dhe të Hamasit ndodhen në afërsi të njëri-tjetrit në Gazën veriore. Kujtojmë  se armëpushimi është në ditën e tij të pestë.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni