Izraeli iu jep 4 orë kohë civilëve, goditen 2500 baza të Hamasit, Biden optimist për “pauzë humanitare”

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2023, 08:47 | Bota



Kanë vijuar përgjatë gjithë natës përleshjet e ashpra mes ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hamasit, tashmë brenda territorit të Gaza City, i cili është i rrethuar nga të gjitha anët.

Luftime ka pasur ne në Cisjordani, teksa 51 persona u vranë gjatë një aksioni të ushtrisë së Izraelit në një tjetër kamp refugjatësh, këtë herë në zonën e Maghazit.

Autoritetet izraelite bëjnë me dije se një tjetër korridor humanitar është krijuar për kalimin e civilëve që duan të largohen nga Gaza, i cili do të zgjasë për të paktën 4 orë. Një ditë më parë, IDF akuzoi Hamasin se sulmoi korridore të ngjashme duke qëlluar ndaj civilëve.

Në një njoftim për mediat Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, bëjnë me dije se që nga nisja e ofensivës ndaj militantëve të Hamasit, janë shkatërruar më shumë se 2500 baza të tyre përgjatë Rripit të Gazës, duke përfshirë këtu vendstrehime, apo depo armatimesh.

Situata humanitare në Gaza është katastrofike, ku aksesi në ujë të pijshëm e ushqime është pothuajse i pamundur, teksa raportohet nga agjencitë humanitare të OKB se më shumë se 1.5 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Nga ana tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden u shpreh se ka pasur progres në bisedimet me autoritetet izraelite për mundësimin e ndërprerjes së përkohshme të luftimeve për qëllime humanitare. Sipas tij, bisedimet e sekretarit Blinken, gjatë vizitës së tij në Lindjen e Mesme, kanë qenë tepër të frytshme dhe shpresëdhënëse.

 

Ndërkohë që protestat kanë shpërthyer dhe në Jeruzalem kundër kryeministrit Netanyahu. Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën para banesës së kreut të qeverisë dhe kërkuan dorëheqjen e tij, pasi për shumë izraelitë ai konsiderohet përgjegjës për sulmin e militantëve më 7 tetor.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu