Forcat ruse sulmuan Ukrainën mëngjesin e së shtunës me katër raketa balistike Iskander, 39 dronë kamikaze të tipit Shahed dhe lloje të ndryshme të dronëve “mashtrues’, njoftoi Forca Ajrore e Kievit.
Sipas mediave të huaja, dy raketa balistike dhe 24 dronë sulmues u rrëzuan, ndërsa 14 dronë ranë në zona të hapura, shkruan A2 CNN.
Raketat balistike të rrëzuara ranë afër kryeqytetit duke shkaktuar dëme të mëdha. Ndërkohë raportohet se si pasojë e sulmit me raketa balistike katër persona kanë humbur jetën në Kiev.
Pas sulmit, u raportuan zjarre dhe dëmtime në infrastrukturë, duke përfshirë stacionet e metrosë. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se mbrojtja ajrore ishte në veprim rreth qytetit.
Ndërkohë, në qytetin jugor të Zaporizhia, autoritetet lokale thonë se gjashtë persona u plagosën në një sulm rus. Këto sulme janë më të fundit në luftën që filloi pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)