Kjo është fjala që kanë kërkuar më shumë gjermanët në internet

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2023, 16:23 | Bota

Kjo është fjala që kanë kërkuar më shumë

Një juri e ekspertëve gjermanë e ka shpallur fjalën “Krisenmodus” (gjendje krize) si fjalën e vitit 2023, si referencë për luftën në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, për sfidat globale dhe rënien e standardeve të edukimit në këtë shtet.

“Antisemitizmi” është renditur në vendin e dytë, ka thënë Shoqata për Gjuhën Gjermane, të premten, duke e përmendur rritjen e përdorimit të kësaj fjale prej sulmeve të grupit palestinez Hamas, në tokën izraelite, më 7 tetor.

Hamasi, grup që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në vendin e tretë është renditur shprehja “pamundësi për të lexuar” duke iu referuar jo vetëm analfabetizmit, por edhe rritjes së vështirësive nga njerëzit që të kuptojnë tekste komplekse.

Sipas shoqatës që e ka përpiluar listën “renditja reflekton realitetin dhe realiteti është goxha i zymtë”.

Sipas saj, shoqëria ka qenë në “gjendje krize” prej vitit 2020, duke e përmendur pandeminë e koronavirusit, luftën e Rusisë në Ukrainë, krizat gjermane në edukim dhe energji, dhe sulmet e Hamasit në Izrael, në tetor.

Militantët e Hamasit e kanë nxitur luftën me Izraelin, pas sulmit që kanë kryer në territorin e tij më 7 tetor, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos