Presidenti rus Vladimir Putin konfirmon rikandidimin për një tjetër mandat 6 vjeçar në krye të Kremlinit, në zgjedhje presidenciale që do të mbahen në mars të 2024.
Në një lëvizje mund ta mbajë atë në pushtet, të paktën deri ne 2030-ën, Putin e bëri njoftimin të premten pas një ceremonie në Kremlin.
Teksa u jepte ushtarëve që kanë luftuar në Ukrainë, nderimin më të lartë ushtarak, yllin e artë të heroit të Rusisë, Putin u pyet nga një kolonel nëse do të rikandidonte.
Lideri rus u përgjigj se do ta bënte, sipas agjencive shtetërore të lajmeve në Moskë. Putin do të kërkojë mandatin e 5 në krye të shtetit, më 17 mars, ndërsa përpiqet të çimentojë përpjekjen mbi 20 vjeçare për të mbajtur pushtetin.
Zgjedhjet e ardhshme do të shënojnë herën e parë që banorët në rajonet e pushtuara ukrainase të Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, do të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë.
Putinit, të cilit ju dorëzua presidenca nga Boris Jelcin në ditën e fundit të 1999-s, ka shërbyer si president më gjatë se çdo udhëheqës tjetër rus që prej Josef Stalinit, duke tejkaluar madje edhe Leonid Brezhnevin. (A2 Televizion)