Qeveria izraelite e drejtuar nga Benjamin Netanyahu ka hyrë në një spirale krize.
Me një vendim të pakundërshtueshëm, Netanyahu ka shpërndarë kabinetin e luftës, e cila ishte krijuar për të marrë vendime gjatë ecurisë së luftës në Gaza.
Vendimi i Netanyahut vjen pak ditë pasi kreu i opozitës Benny Gantz njoftoi tërheqjen e tij nga qeveria. Kabineti i luftës u formua pesë ditë pas fillimit të luftës midis Izraelit dhe Hamasit dhe përfshinte jo vetëm Netanyahun dhe Gantz, por edhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Ndërkohë, zemërimi i Netanyahut është shtuar akoma më shumë pas vendimit të ushtrisë izraelite për krijimin e pauzave taktike gjatë luftës me Hamasin.
Qëllimi, sipas ushtrisë izraelite, bëhet për të hapur rrugët e ndihmave humanitare për civilët. Udhëheqja politike izraelite e kritikoi masën. Kryeministri Benjamin Netanyahu ishte i pakënaqur kur dëgjoi për herë të parë për planin, sipas një zyrtari izraelit.
Netanyahu kontaktoi sekretarin e tij ushtarak dhe tha se kjo ishte e papranueshme, derisa u sigurua se luftimet në Rafah do të vazhdonin.
Ajo ngre pyetjen se nga e ka origjinën urdhri i "pauzës taktike", por duket se vendimi ka gjasa të vazhdojë për pak kohë. Vendimi u kundërshtua edhe nga ministri izraelit i sigurisë Ben Gvir, anëtar kryesor i krahut të djathtë të kabinetit të Netanyahut.
“Kushdo që vendosi për një “pauzë taktike” me qëllim të një tranzicioni humanitar, veçanërisht në një kohë kur më të mirët e ushtarëve tanë po bien në betejë, është budalla që nuk duhet të vazhdojë të jetë në pozicionin e tij, tha Ben Gvir.
Sakaq, luftime të ashpra janë zhvilluar në Rafah. Një zyrtar i mbrojtjes civile në enklavë tha për CNN se përleshjet e rënda kanë vazhduar në lagjet e Rafahut perëndimor gjatë 24 orëve të fundit.
Në një shenjë të mëtejshme se luftimet në Gaza mund të zvarriten, qeveria e Netanyahut tha të dielën se do të zgjaste deri më 15 gusht periudhën që do të financonte hotele dhe shtëpi pritjeje për banorët e evakuuar nga qytetet kufitare izraelite jugore. (A2 Televizion)