Vullkani në Grindavik ka vendosur sërish në alarm Islandën, pas shpërthimit të dytë brenda pak javëve. Vullkani në Islandën jugperëndimore shpërtheu, ditën e djeshme, duke bërë që qyteza të lundrojë në lavë.
Nuk kishte asnjë kërcënim për banorët e Grindavik, një qytet i vogël peshkimi, i cili është nën urdhrat e evakuimit.
“Bazuar në vlerësimin e rrezikut të Departamentit të Mbrojtjes Civile të lëshuar më 12 janar, nuk konsiderohet e justifikueshme të vazhdohet të banosh në Grindavík, në dritën e konsideratave të sigurisë publike. Mund të supozohet se urdhri do të jetë në fuqi për tri javët e ardhshme”, thanë agjencitë qeveritare.
Një video nga transmetuesi publik i Islandës RUV tregoi lavën që pushtoi rrugët e Grindavík dhe ndërtesa të djegura.
Të shtunën, Komisioneri Kombëtar i Policisë së Islandës urdhëroi banorët në Grindavík, të evakuuar për herë të parë në nëntor, të evakuoheshin sërish pas hapjes së çarjeve vullkanike në rrugët e zonës.
Zëdhënësja e Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Islandës, Hjordis Gudmundsdottir, njoftoi se 60 familje, 10% e popullsisë së zakonshme të qytetit, janë evakuuar deri më tani, duke shtuar se shumë njerëz nuk ishin kthyer ende në shtëpitë e tyre pas shpërthimit të muajit të kaluar.
Pas shpërthimit, policia ngriti nivelin e gatishmërisë. Një helikopter i rojës bregdetare islandeze është vendosur gjithashtu për të monitoruar situatën.
Ndërkohë, disa orë para shpërthimit, zyra meteorologjike e Islandës raportoi një tërmet. Duke folur për sigurinë e udhëtimeve ajrore, Gudmundsdottir i tha CNN se aeroporti në Keflavik është i sigurt pasi shpërthimi dhe nuk ka prodhuar hi vullkanik, i cili mund të ndikojë te fluturimet.
Grindavík, ndodhet rreth 70 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Islandës Reykjavík, në gadishullin Reykjanes. Qyteti është shtëpia e Lagunës Blu të famshme të Islandës, e cila tërheq mijëra turistë dhe është një nga atraksionet më të vizituara të vendit.
Qyteti u evakuua më parë, pas javëve të aktivitetit të lartë sizmik që kulmoi me një shpërthim vullkanik. Plasaritja e tokës pas shpërthimit të dhjetorit ishte rreth katër kilometra, ndërsa çarja e shpërthimit të së dielës ishte rreth një e katërta e gjatësisë. (A2 Televizion)