Ambasada Amerikane në Rusi ka lëshuar një alarm për sulme të mundshme terroriste. Në deklaratë u bëhet thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin grumbullimet e mëdha në Moskë në 48 orët e ardhshme. “Ambasada po monitoron raportimet mediatike, sipas të cilave, ekstremistët planifikojnë sulme me shënjestër tubimet e mëdha në kryeqytet, përfshirë koncertet”, lexohet në paralajmërim.
Kësaj thirrjeje i janë bashkuar shumë ambasada të huaja në Rusi, që kërkojnë të mbrojnë shtetasit e tyre. Ndërkohë, lufta vazhdon që t’i kalojë kufijtë e Ukrainës. Rusia pretendon se ka rrëzuar 22 dronë të lëshuar nga Ukraina në drejtim të 3 rajoneve kufitare, Belgorod, Kurs dhe Volgograd.
Nga ana tjetër, mbrojtja ajrore e Kievit nuk ishte kaq efikase. Ukraina njofton rrëzimin e 33 dronëve rusë shahed nga 37 të lëshuar në total. Në shënjestër ishin 5 rajone, përfshirë Odesën, ndërsa janë lëshuar nga trupat e Moskës edhe raketa S-300. Kievi njoftoi se janë raportuar shpërthime në qytetet e pushtuara të rajonit Zaporizhia, ku gjendet dhe një impiant bërthamor. Sakaq, në Kiev ka mbërritur një i dërguar i posaçëm i Kinës për takime.
Ai synon që të gjejë një zgjidhje politike për luftën në Ukrainë, ndërsa më herët vizitoi dhe Moskën. Megjithatë presidenti Volodymyr Zelenski ka lënë vendin për një vizitë në Turqi. Ai kërkon që bashkë me presidentin Recep Tayyip Erdogan të kthejë në fuqi marrëveshjen për eksportimin e drithërave në Detin e zi. (A2 Televizion)