Marrëveshja e samitit të Paqes në Ukrainë refuzohet nga fuqitë kryesore

Nga A2 CNN
17 Qershor 2024, 07:14 | Bota

Marrëveshja e samitit të Paqes në Ukrainë refuzohet nga

Samiti dyditor i paqes në Zvicër për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë përfundoi me fuqitë kryesore që kundërshtuan një deklaratë të përbashkët për të cilën ranë dakord më shumë se 80 vende të tjera dhe organizata ndërkombëtare.

80 vende kërkuan të dielën që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë baza për çdo marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës 2-vjeçare të nisur nga Rusia, megjithëse disa vende që ishin pjesëmarrëse në një konferencë paqeje në Zvicër nuk iu bashkuan kësaj deklarate.

India, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat të gjitha kanë marrëdhënie të rëndësishme tregtare me Rusinë si anëtarë të grupit ekonomik BRICS, morën pjesë në takimin e fundjavës, por nuk ranë dakord të nënshkruajnë deklaratën e përbashkët. Po ashtu, edhe Brazili nuk e nënshkroi deklaratën, ndërsa Turqia, një vend që ka kërkuar të jetë ndërmjetës mes Rusisë dhe Ukrainës, e ka nënshkruar deklaratën.

Dokumenti përfundimtar kërkon arritjen e një paqeje bazuar në Kartën e OKB-së dhe “respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetin e Ukrainës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u tha gazetarëve në një konferencë shtypi, së bashku me liderët e Bashkimit Evropian, Gana, Kanada, Kili dhe Zvicër se ishte “e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit e këtij samiti të mbështesin integritetin territorial të Ukrainës, sepse nuk do të ketë paqe të qëndrueshme pa integritet territorial.”

Në këtë konferencë nuk ishte e ftuar Rusia, ndërsa shumë pjesëmarrës shpresonin se mund të gjendej një udhërrëfyes drejt paqes mes dy vendeve.

Më shumë se 100 vende dhe organizata u mblodhën në një vendpushim idilik buzë liqenit pranë Lucernit për të mbështetur planin e paqes prej 10 pikash që Zelensky përshkroi për herë të parë në fund të vitit 2022.

Kjo formulë përfshin kërkesat për ndërprerjen e armiqësive, rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës, tërheqjen e trupave ruse nga toka ukrainase dhe rivendosjen e kufijve të Ukrainës me Rusinë e paraluftës, terma që presidenti rus Vladimir Putin nuk ka gjasa të pranojë ndonjëherë.

Ndër personalitetet e nivelit të lartë të pranishëm ishin krerët e Argjentinës, Kanadasë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Holandës, Polonisë, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris ishte gjithashtu e pranishme dhe shfrytëzoi rastin për të njoftuar një paketë ndihme prej 1.5 miliardë dollarësh që do të shkonte në drejtim të shpenzimeve humanitare dhe do të ndihmonte Kievin të rindërtonte infrastrukturën e tij të dëmtuar.

Të premten, një ditë para fillimit të samitit, presidenti rus, Vladimir Putin, ritheksoi planin e paqes të Kremlinit, i cili kërkon tërheqjen e trupave ukrainase nga katër rajone jugore dhe lindore të territorit ukrainas që Moska tha se do t'i aneksonte në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe kërkon që Kievi të braktisë ofertën e tij për t'u bashkuar me NATO-n . (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos