Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, është kandidati kryesor për të drejtuar NATO-n, kjo edhe për shkak të mbështetjes së madhe që ai ka siguruar nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Gjermania.
Sipas Zërit të Amerikës, pasuesi i Stoltenberg, që largohet në tetor, do të marrë detyrën në një periudhë të vështirë me vazhdimin e mbështetjes së kushtueshme të NATO-s, për mbrojtjen e Ukrainës kundër agresionit rus dhe frikës së çdo përshkallëzim do të mund ta vinte aleancën drejtpërdrejt në një luftë me Moskën.
E themeluar në vitin 1949 për t’iu kundërvënë Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, NATO-ja është një aleancë politike dhe ushtarake e vendeve nga Amerika e Veriut dhe Evropa.
Në nenin 5 të traktatit themelues të NATO-s është mishëruar parimi i mbrojtjes kolektive, sipas të cilit, një sulm ndaj një anëtari konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve.
Udhëheqësit e NATO-s emërohen me konsensus, që do të thotë se të gjitha vendet anëtare duhet të pajtohen. Aleanca aktualisht ka 31 vende anëtare me Suedinë që pret të bashkohet së shpejti.
Diplomatët thonë se Rutte është i vetmi kandidat zyrtar për postin në garën që zhvillohet prapaskenave, megjithëse disa thanë se emri i presidentit rumun Klaus Iohannis, ishte hedhur gjithashtu në diskutime jozyrtare kohët e fundit. (A2 Televizion)