Sondazh: Sa e rrezikon Shqipërinë përshkallëzimi i konfliktit Iran - Izrael?
  • Shumë 27%
  • Pak 47%
  • Aspak 27%

Më gjatë në pushtet se Stalini, Putin pas fitores: Lajm i trishtë vdekja e Navalny, sa do ta liroja

Nga A2 CNN
18 Mars 2024, 09:34 | Bota



Ashtu siç edhe pritej, Vladimir Putin ‘fitoi’ zgjedhjet në Rusi, duke çimentuar pushtetin e tij edhe për 6 vite të tjera. Rezultati i zgjedhjeve të së dielës, tregon se Putin, 71 vjeç, do të nisë një mandat të ri gjashtëvjeçar që do ta bëjë atë të tejkalojë Josef Stalin dhe të bëhet lideri më jetëgjatë i Rusisë për më shumë se 200 vjet.

Putin fitoi 87.8% të votave. Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera thanë se votimi nuk ishte as i lirë dhe as i drejtë për shkak të burgosjes së kundërshtarëve politikë dhe censurës së lartë.

Kandidati komunist Nikolai Kharitonov përfundoi i dyti me pak më pak se 4%, Vladislav Davankov i treti dhe ultra-nacionalisti Leonid Slutsky i katërti.

Putin u tha mbështetësve në një fjalim në Moskë se do t'i jepte përparësi zgjidhjes së detyrave që lidhen me atë që ai e quajti "operacionin ushtarak special" të Rusisë në Ukrainë. Putin, duke marrë shkas nga deklaratat e Macron për dërgimin e trupave në Ukrainë, paralajmëroi Perëndimin se konflikti mes tyre dhe Rusisë do të jetë një hap larg fillimit të Luftës së Tretë Botërore.

“Mendoj se çdo gjë është e mundur në botën moderne. Por unë e kam thënë tashmë këtë dhe është e qartë për të gjithë se konflikti midis Rusisë dhe NATO-s do të jetë vetëm një hap larg nga një Luftë e Tretë Botërore në shkallë të gjerë. Unë nuk mendoj se dikush është i interesuar për këtë.”, tha presidenti i rizgjedhur.

Putin shtoi se personeli ushtarak i NATO-s ishte i pranishëm në Ukrainë, duke thënë se atje flitej anglisht dhe frëngjisht. “Ushtria e NATO-s është e pranishme në Ukrainë. Ne e dimë këtë. Ne dëgjojmë fjalime frëngjisht dhe anglisht. Nuk ka asgjë të mirë këtu. Së pari për ta, sepse vriten. Në numër të madh. Por në fund të fundit nuk është zgjedhja jonë. Nëse dikush dëshiron të mbulojë problemet e brendshme të vendeve të tyre me retorikën e tyre agresive të jashtme ky është një truk i njohur dhe i përdorur gjerësisht", shtoi Putin.

I pyetur nëse e konsideron të nevojshme marrjen e rajonit të Kharkiv-it të Ukrainës, Putin tha se nëse sulmet vazhdojnë, Rusia do të krijojë një zonë tampon nga territore ukrainase për të mbrojtur territorin rus.

Kur u pyet për fatin e liderit të opozitës Alexei Navalny, Putin tha se ai thjesht kishte "vdekur" duke e përdorur emrin e Navalny për herë të parë në publik.

"Sa i përket zotit Navalny. Po, ai ka ndërruar jetë. Është gjithmonë një ngjarje e trishtueshme. Kemi pasur raste të tjera që kanë ndërruar jetë njerëz në burgje. A nuk ka ndodhur kjo në Shtetet e Bashkuara? Ka ndodhur dhe në mënyrë të përsëritur”, tha Putin.

Putin tha se kishte rënë dakord disa ditë para vdekjes së Navalny për ta shkëmbyer atë me të burgosur rus në burgjet perëndimore. E veja e Navalny, Yulia, ka akuzuar Putinin për vrasjen e bashkëshortit të saj. 

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu