Dy gra prishin “gjumin” në dukje të qetë të Donald Trump dhe Partisë Republikane. Mund të mos jetë vetëm ish-ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, e cila doli e mundur në zgjedhjet paraprake në New Hampshire, të sfidojë manjatin në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Tani në horizont po shfaqet “hija” e Michelle Obamës. Nëse ish-Zonja e Parë, që paraqitet mirë në sondazhe, vendos në minutën e fundit të zbresë në arenën politike në vend të Joe Biden, skenari për “Shtëpinë e pushtetit” mund të ndryshojë në mënyrë drastike në favor të demokratëve. Edhe pse është i sigurt se ka në xhep nominimin e partisë së vjetër, Trump është i irrituar, e ndoshta edhe i shqetësuar, nga rivalja e tij Nikki Haley, e cila, e galvanizuar nga suksesi mes votuesve të moderuar dhe nga rezultati që ka tejkaluar pritshmëritë, jo vetëm nuk donte të tërhiqej nga gara, por dëshiron të përfitojë nga avantazhi i të luajturit në shtëpi në votimin e radhës, më 24 shkurt, në Karolinën e Jugut.
Megjithatë, nervozizmi i Trump mund të shkaktohet edhe nga një tjetër “rrezik”, këtë herë jo i brendshëm, por që vjen nga demokratët, të cilët kanë filluar të kenë frikë se presidenti aktual Joe Biden, i cili gjithashtu kërkon të kandidojë sërish, mund të mos jetë zgjidhja e duhur për të rifituar Shtëpinë e Bardhë. Barometri, disa vëzhgues pëshpëritin, është se sa pak entuziazëm ka treguar familja Obama në javët e fundit për të mbështetur njeriun që ishte zëvendësi i Barack-ut gjatë presidencës së tij historike.
Dhe nuk është e sigurt që Michelle do të vendosë të futet në betejën zgjedhore. Nëse kjo ndodh, loja do të bëhej shumë më e vështirë për Donald Trump, sepse të gjitha kundërshtimet e tij për moshën e Biden dhe pretendimin “papërshtatshmëri” për një mandat të dytë do të binin poshtë. Michelle Obama, për shkak të karizmës së saj, konsiderohet nga shumë si një kundërshtare e frikshme, e aftë për të mposhtur të gjithë fushatën e Trumpit. Ish-presidenti nuk gëzon popullaritet të mirë për shkak të tonit të tij, i cili shpesh kritikohet edhe nga vetë republikanët. (A2 Televizion)