Një avion i “Turkish Airlines” u ul sot në aeroportin ndërkombëtar të Damaskut për herë të parë pas një pauze 13-vjeçare.
Siç raportoi AFP, avioni mbërriti nga Stambolli me 345 pasagjerë dhe ndihma humanitare. Mes atyre në bord ishin CEO i Turkish Airlines, Bilal Eksi dhe zyrtarë turq.
“Aeroplani i parë i pasagjerëve të Turkish Airlines u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut pas një pauze 13-vjeçare, me sirianë në bord”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve Sana.
Eksi u tha gazetarëve se kompania e tij do të kryejë tre fluturime në javë për në Siri.
“Shpresoj që fluturimet që kemi rifilluar do të forcojnë marrëdhëniet midis vendeve tona”, tha ai.
Ankaraja, një mbështetëse e regjimit të ri sirian që rrëzoi Bashar al-Asad muajin e kaluar, njoftoi më 15 janar se do të rifillonte fluturimet tregtare për në Damask.
Qatar Airways ishte linja e parë ajrore ndërkombëtare që rifilloi fluturimet për në Damask më 7 janar. Një fluturim i Syria Airlines për në Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe në të njëjtën ditë ishte fluturimi i parë komercial ndërkombëtar që u nis nga aeroporti që nga rrëzimi i Asadit më 8 dhjetor. (A2 Televizion)