Presidenti i Venezuelës, pas zgjedhjeve të tij të kontestuara gjerësisht, po përpiqet të largojë qytetarët nga problemet e vendit
Për ata që i numërojnë ditët dhe e presin me padurim të festojnë Krishtlindjet, teksa jemi edhe 85 ditë larg kësaj dite të shënuar, ekziston një shtet në botë që ka nisur t’i kremtojë duke dekoruar pemët, rrugët dhe dyqanet.
Fjala është për Venezuelën, aty ku Presidenti Nicolás Maduro ashtu siç kishte premtuar, i ka sjellë pushimet e festave të fundvitit më herët, në një tentativë për të ngritur moralin e bashkatdhetarëve të tij që janë të zhgënjyer për sagën zgjedhore.
Presidenti Maduro kishte kohë që kishte njoftuar se fillimi i sezonit festiv do të niste nga 1 tetori, shkruan A2. Dhe premtimi është mbajtur pasi një pemë gjigande është ngritur në Karakas, ndërsa urimi "Gëzuar Krishtlindjet" shkruhet me gërma të mëdha pranë saj.
Koncertet e Krishtlindjeve sakaq kanë filluar në të gjitha qytetet e vendit dhe janë ngritur pleq dëbore dhe grazhde me tre shenjtët në qendrat e tyre, raporton A2.
"Bota po gëzohet”, tha ministri Diosdado Cabello dhe për ata që ankohen për festimet e hershme lëshoi një mesazh. "Ata duhet të kuptojnë se ky vend është një vend i lumturisë, eksitimit dhe i së ardhmes", deklaroi ai.
Tremujori festiv në Venezuelë do të përfundojë në mënyrën më të mirë për Maduron, pasi shënjon edhe betimin e tij për një mandat të tretë pesëvjeçar më 10 janar 2025.
Pas zgjedhjeve të fundit presidenciale, të cilat Maduro i fitoi pavarësisht nga indikacionet e forta nga opozita se ato ishin të manipuluara, trazirat shkaktuan dhjetëra vdekje në vend. Ndërkohë, lideri i opozitës është detyruar të arratiset në Spanjë për të shmangur arrestimin. (A2 Televizion)