Putin kërcënon me armë bërthamore: E mbajmë mend mirë fundin e atyre që dërguan trupa në Rusi

Nga A2 CNN
29 Shkurt 2024, 11:38 | Bota

Putin kërcënon me armë bërthamore: E mbajmë mend

Presidenti rus Vladimir Putin i është drejtuar popullit të tij paraditen e së enjtes me anë të një daljeje televizive.

Në fillim të fjalës së tij, lideri rus bëri të ditur se ka folur me qytetarë rreth e qark vendit, duke përfshirë këtu, mësues, vullnetarë dhe ushtarë. Siç edhe bëri të ditur, këtë vit, fokusi i qeverisë së tij do të jetë në agjendën e brendshme.

Nga ana tjetër, Putin u drejtua edhe vendeve të Perëndimit që mund të jenë duke e peshuar mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë. Lideri rus i kujtoi Perëndimit se edhe Rusia ka armë dhe se mund të krijohen kushtet për një konflikt bërthamor. 

"Është e nevojshme që të forcomë grupet tona (ushtarake) në drejtimin strategjik perëndimor për të neutralizuar kërcënimet që lidhen me zgjerimin e radhës të NATO-s në lindje, përfshirjen e Suedisë dhe Finlandës në Aleancë. Po flitet për mundësinë e dërgimit të kontingjenteve ushtarake të NATO-s në Ukrainë. Por ne e mbajmë mend fundin e atyre qe dërguan kontingjente në vendin tonë. Por tani, pasojat e një ndërhyrje të mundshme do të jenë shumë më tragjike. Edhe ne kemi armë - dhe ata e dinë mirë, siç thashë - edhe ne kemi armë që mund të godasin objektiva në territoret e tyre. Dhe se ajo që po bëjnë tani, duke u përpjekur të frikësojnë të gjithë botën, rrezikon një konflikt me armë bërthamore. Që do të thotë shkatërrim i qytetërimit."

Sipas tij, qytetarët e Rusisë janë bërë viktima të asaj që ai e cilësoi “ruso-fobia.”

“Pa një Rusi të fortë dhe sovrane, nuk mund të ketë një rend të qëndrueshëm botëror,” shtoi Putin.

Ndërsa, sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Putin tha se ato janë të interesuara të negociojnë vetëm kur shohin hapësira për të përfituar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos