NATO duhet të përgatitet për një përballje dhjetë vjeçare me Rusinë. Deklarata është bërë nga sekretari i përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg, i cili bën thirrje për zgjerimin sa më të shpejtë të industrisë së mbrojtjes së vendeve anëtare.
Ai kërkon që të kalohet nga ritmet aktuale në përshpejtim më të madh të prodhimit të armëve dhe mjeteve të luftës. Stoltenberg nënvizoi se perëndimi do të vazhdojë ndihmat për Ukrainë, për t’i rezistuar pushtimit rus.
Megjithatë situata në terren po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ushtria e Vladimir Putin ka lëshuar përsëri sulme ndaj zonave civile duke lëshuar dronë në Kharkiv. Raportohet se kanë humbur jetën 7 persona, mes të cilëve 3 fëmijë. Kievi njofton se gjatë natës rrëzoi 23 nga 31 dronët e lëshuar nga Rusia. Sulmet kishin në shënjestër dy rajone të rëndësishme të Ukrainës, Odesën dhe Kharkivin.
Presidenti Volodymyr Zelensky vazhdon me rinovimin e udhëheqësve të ushtrisë pas largimit të kreut të forcave të armatosura, Valeri Zaluzhny, dhe zëvendësimit të “gjeneralit të hekurt” me “leopardin” gjeneralkolonelin Oleksandr Syrsky.
Në fjalimin e tij të zakonshëm, Zelensky emëroi shefin e ri të shtabit, gjeneralin Anatoli Bargiljeviç. Në kundërpërgjigje, Rusia nuk bën riorganizim të ushtrisë, por vëmendjen e përqëndron në prodhimin e dronëve të luftës.
Ministri i mbrojtjes, Sergej Shoigu, paralajmëroi se disa lloje të reja dronësh më të avancuar do të vijnë së shpejti. (A2 Televizion)