Palestinezët në Rripin e Gazës mirëpritën muajin e shenjtë të Ramazanit mes frikës dhe konfliktit të vazhdueshëm. Fushata e pamëshirshme e Izraelit në Gaza ka shkaktuar alarm në mbarë botën ndërsa rreziku i urisë kërcënon të rrisë numrin e vdekjeve që tashmë ka kaluar në 31 mijë. Muaji i Ramazanit këtë vit është i ndryshëm për shkak të mungesës së ushqimeve në tregje.
“Nuk ka rituale për ardhjen e Ramazanit këtë vit si në vitet e kaluara, ku zbukuronim shtëpitë dhe dilnim në treg për të blerë furnizime. Por këtë vit po jetojmë në atmosferën e luftës dhe humbëm shumë. Dona mungojë prania dhe vizitat e të dashurve tanë. Sinqerisht, muaji i Ramazanit këtë vit është i trishtuar, jo si të gjitha vitet", thotë Iman Hindi, qytetare palestineze.
Pavarësisht kushteve të këqija ekonomike dhe të jetesës, disa palestinezë blejnë dhurata për Ramazanin.
“Ka një kërkesë të vogël për blerjen e dhuratave të Ramazanit për shkak të luftës, por të zhvendosurit po përpiqen të krijojnë një atmosferë për muajin e Ramazanit për t'i lumturuar fëmijët e tyre”, thotë Mohamed Atta, shitës ambulant.
Shpresat për një armëpushim kanë marrë një goditje nga ngecja e bisedimeve në Kajro dhe nga deklarata e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për pushtim të plotë të Rafah, qytetit jugor në Rripin e Gazës.
“Ne nuk do të largohemi nga Gaza, pasi7 tetori nuk duhet të ndodhë më”, tha ai, duke iu kundërpërgjigjur në mënyrë indirekte reagimit të fundit të Presidentit të SHBA, Joe Biden, për ndalimin e ofensivës në Rafah.
Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria izraelite vrau 85 palestinezë dhe plagosi 130 të tjerë në zona të ndryshme në enklavën bregdetare. Në total mbi 31 mijë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve izraelite, dhe me mijëra të tjerë rrezikojnë të vdesin nga uria, teksa ndihmat po hasin në vështirësi të shtuar për të arritur tek popullsia në nevojë. (A2 Televizion)