Rusia do të përdorë "mjete edhe më të forta ushtarake" në luftën e saj me Ukrainën, nëse SHBA dhe aleatët e saj nuk arrijnë të kuptojnë se ajo nuk mund të testohet pafundësisht. Ky është paralajmërimi i bërë nga zëvendësministri i Jashtëm i Moskës në një intervistë për median amerikane CNN.
“Rreziqet janë të larta dhe ato po rriten, dhe kjo është mjaft shqetësuese”, tha Sergei Ryabkov gjatë një interviste në Moskë, duke shtuar se tensionet aktuale gjeopolitike ishin të padëgjuara që “nga kulmi i Luftës së Ftohtë”.
Ryabkov tha se nuk kishte “zgjidhje magjike” për konfliktin. Ai pretendoi se ka mungesë sensi të përbashkët dhe “përmbajtjeje në Perëndim, veçanërisht në SHBA, ku njerëzit në dukje nënvlerësojnë vendosmërinë tonë për të mbrojtur interesat tona thelbësore të sigurisë kombëtare”, shkruan A2 CNN. Administrata e presidentit amerikan Joe Biden njoftoi të martën një paketë ndihme sigurie prej 725 milionë dollarësh për Ukrainën. Ai e quajti paketën një përpjekje për ta vendosur Kievin "në pozicionin më të fortë të mundshëm" ndërsa Rusia shton sulmet e saj dhe Biden përgatitet të largohet nga posti në më pak se dy muaj.
Sakaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka thënë gjatë një konference për shtyp nga Brukseli se, është e nevojshme të ndryshohet trajektorja e konfliktit që Kievi të jetë në një pozicion të fortë me Rusinë kur të vendos të ulet në tryezën e bisedimeve me Moskën, tha Rutte. Aleatët ranë dakord të ndihmonin Ukrainën për këtë qëllim. "Ky është prioriteti numër një, numri dy dhe numri tre," shtoi Rutte.
“Ne duhet të sigurohemi që Ukraina është në një pozicion të fortë dhe se ajo mund, në negociata, kur vendos t'i fillojë ato, të marrë atë që dëshiron, në mënyrë që Vladimir Putin të mos marrë atë që dëshiron, theksoi shefi i NATO-s. (A2 Televizion)