Rrëzohet avioni luftarak F-18 në Spanjë, vdes piloti

Nga A2 CNN
4 Tetor 2024, 16:38 | Bota

Rrëzohet avioni luftarak F-18 në Spanjë, vdes piloti

Një avion luftarak F-18 që operohej nga skuadrilja e 12-të e Forcave Ajrore spanjolle, një njësi luftarake me bazë në rajonin e Madridit, është rrëzuar në pranë Teruelit.

Brenda pak minutash, ministria e Ajrit dhe Hapësirës konfirmoi vdekjen e nënkolonelit që drejtonte avionin në llogarinë e saj në platformën ‘X’, duke ngushëlluar familjen e Pablo Estrada Martin.

Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit, por prej disa orësh zjarrfikësit dhe ekipe të Mbrojtjes Civile janë zhvendosur në zonën e aksidentit, duke kryer hetimet përkatëse.

Mediat spanjolle kanë kontaktuar me dëshmitarë të asaj që ndodhi, të cilët kanë qenë pranë vendit ku luftaraku u rrëzua. Njëri prej tyre është Carlos López, kryebashkiak i Peralejos, i cili shpjegoi se në momentin kur ndodhi aksidenti ajror, mbi kokat e tyre po fluturonin dy avionë F-18.

“Po bëja punën time bujqësore dhe pamë dy avionë luftarakë që kalonin dhe njëri prej tyre u rrëzua në vendin që ne e njohim si Estrecho del Hornillo. Unë shkova për aty dhe pamë mbetjet e avionit. Nuk dimë shumë gjëra të tjera, unë pash shumë pjesë të avionit dhe gjatë rënies pati edhe një zjarr të vogël”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Komisioni spanjoll për Hetimin Teknik të Aksidenteve Ajrore (CITAAM) do të nisë një hetim për shkaqet e rrëzimit. F-18 janë "avionë të vjetër që do të zëvendësohen", thonë burimet e Forcave Ajrore Spanjolle.

Megjithatë, ata janë ende në punë, pavarësisht moshës së tyre, me softuerin e tyre të përditësuar në intervale të rregullta. “Janë avionë absolutisht të fluturueshëm”, thonë të njëjtat burime, pavarësisht se prej kohësh ushtria në Spanjë ka kërkuar zëvendësimin e tyre me një flotë më moderne. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos