Që prej momentit kur presidenti rus Vladimir Putin sugjeroi pa ofruar prova, një bashkëpunim të mundshëm mes Kievit dhe autorëve të masakrës në Moskë, u kuptua se Rusia do ta përshkallëzonte luftën në Ukrainë…
Pas një vale intensive bombardimesh ditën e dielë, shpërthime të shumta janë dëgjuar edhe të hënën në qendër të Kievit, menjëherë pasi sirenat e alarmit paralajmëruan raketa ruse në drejtim të kryeqytetit.
Kryebashkiaku Vitaly Klitchko, udhëzoi qytetarët ti drejtoheshin bunkerëve për tu mbrojtur. Në lagien e Pecherskyi një godinë trekatëshe u shkatërrua pas rënies së mbetjeve të raketave të rrëzuara nga sistemi i mbrojtjes ajrore, dhe raportohet për disa të plagosur.
Sipas kryebashkiakut, ishte goditur një zonë banimi dhe një qendër edukimi për fëmijë. Vitaly Klitchko Kryebashkiak i Kievit, kjo që ra këtu ishte një raketë balistike dhe sirenat e alarmit u dëgjuan vetëm pas shpërthimeve të para në qytet.
Pati 3 shpërthime njëkohësisht në tre lagie; atë të Peçerskit, Solomianskit dhe Darnitskit. Ishte thjesht fat që askush nuk vdiq në këtë qendër për fëmijë, pasi ishte e mbyllur. 5 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, përfshirë një 16-vjeçare.
Nuk ka vonuar alarmi i ngritur nga ambasadorja amerikane në Kiev, e cila paralajmëron se Moska po sulmon shtetin fqinj me raketa hipersonike…
“Ukraina ka nevojë për mbështetjen tonë, tani!” – shkruan në rrjetin social X, ambasadorja Bridget Brink.
14 bombardues rus shënjestruan territorin edhe gjatë natës ndërsa Kievi bën me dije se kishte goditur dy anije ruse në Sevastopol të Krimesë. Teksa tensionet mes NATO-s dhe Rusisë mbeten të larta, pasi një raketë kruz shkeli hapësirën ajrore polake ditën e dielë, Lituania kërkoi që çdo raketë ruse që do të hyjë në territorin e aleancës të rrëzohet.
“Duhet të ndryshojmë qëndrim dhe ti përcjellim një mesazh të qartë Rusisë”, deklaroi ministri i jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis. (A2 Televizion)