‘’S’lëshojmë territor për paqen’’, Zelenski flet për planin e fitores, sulmohet depo e naftës në Krime

Nga A2 CNN
7 Tetor 2024, 16:51 | Bota

‘’S’lëshojmë territor për paqen’’,


Kievi nuk planifikon të lëshojë asnjë pjesë të territorit për të arritur paqen në konfliktin me Rusinë. Është presidenti Volodimir Zelenski që kujdeset ta theksojë diçka të tillë, pas raportimeve në media se perëndimi po konsideronte të mbështesë një zgjidhje ku Moska do të ruante kontrollin de facto të disa zonave të pushtuara në Ukrainë.

Zelenski tha në një mesazh video se javën e ardhshme do të t’i prezantojë të ashtuquajturin “planin e fitores”, aleatëve perëndimorë duke argumentuar se ai do të ndihmojë në forcimin e vendit, veçanërisht në sferën ushtarake.

“Shefi i ushtrisë bashkë me zyrtarë të tjerë ushtarakë dhe përfaqësues të ministrisë së mbrojtjes do të punojnë gjatë ditëve në vazhdim me partnerët, mbi detajet e planit të fitores…Sot shënohen 2 muaj nga operacionet ushtarake në rajonin e Kursk të Rusisë, dhe kjo është një fazë shumë e rëndësishme e luftës. Me ndihmën e partnerëve do të jemi në gjendje të shtojmë presionin ndaj Rusisë deri sa të kuptojë se nuk do të fitojë asgjë nga kjo luftë”, tha presidenti Zelensy.

Kievi nuk e ka publikuar ende "planin e tij të fitores". Megjithatë, raporte të shumta mediatike thonë se ai përfshin garanci perëndimore të sigurisë për Ukrainën, inkursionin e vazhdueshëm të Kievit në rajonin e Kurskut me qëllim që të ketë një "instrument negociues territorial", dërgesa të "disa" armëve të avancuara të prodhimit perëndimor dhe ndihma të mëtejshme financiare nga aleatët.

Ndërkohë ushtria ukrainase, tha se kishte sulmuar një terminal të madh nafte, pranë brigjeve të Krimesë së pushtuar, në valën e fundit të sulmeve kundër infrastrukturës energjetike të kontrolluar nga Rusia.

Sipas autoriteteve në Kiev, forcat raketore goditën terminalin Feodosia ,objekti më i madh i përpunimit të naftës në gadishull.  Të paktën 300 persona u evakuan si pasojë e flakëve, dhe gjendja e emergjencës u shpall në zonë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos